Secondary Adv

Euro zbret në minimum të ri historik, për herë të parë poshtë 96 Lekëve

Euro ka rënë në 95.89 lekë në tregun valutor shqiptar, duke shënuar nivelin më të ulët historik ndaj lekut.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u zhvlerësua me 0.16 lekë krahasuar me një ditë më parë. Kjo konfirmon presionin e vazhdueshëm që euro po përjeton ndaj lekut gjatë muajve të fundit.

 

Rënia është edhe më e pazakontë për periudhën e vitit, pasi fillimi i marsit zakonisht nuk shoqërohet me hyrje të mëdha valutore në ekonomi. Sezoni turistik dhe flukset më të mëdha të valutës zakonisht nisin gjatë muajve të verës.

 

Presion i mundshëm edhe në verë

Në muajt korrik dhe gusht hyrjet valutore nga turizmi dhe shërbimet arrijnë kulmin. Nëse trendi aktual vazhdon, euro mund të përballet me një rënie edhe më të fortë gjatë sezonit veror.

 

Forcimi i lekut ka efekte të ndryshme në ekonomi. Nga njëra anë dëmton eksportuesit, të cilët realizojnë të ardhurat në euro dhe marrin më pak lekë kur i konvertojnë. Nga ana tjetër favorizon importet, pasi mallrat e blera në euro bëhen relativisht më të lira.

 

Luhatje të moderuara për monedhat e tjera

Ndërkohë, dollari amerikan është forcuar lehtë në 82.80 lekë, ndërsa paundi britanik është këmbyer me 110.41 lekë. Në rënie kanë qenë franga zvicerane, jeni japonez dhe dollari australian, ndërsa dollari kanadez dhe disa monedha nordike kanë shënuar lëvizje të vogla pozitive.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat